Xavier Dolan është një prej regjisorëve më të mirë të viteve të fundit. Ndonëse shumë i ri në moshë, vetëm 25-vjeç, artisti kanadez është vlerësuar maksimalisht nga kritika për filmat mbresëlënës dhe kontravers si: “I Killed My Mother”, “Tom at the Farm” dhe “Mommy”, duke triumfuar dhe dërguar në shtëpi një numër të madh çmimesh. Një talent i padiskutueshëm, në filmat e të cilit nuk mungojnë temat sociale, as ato më delikatet.
Gjithmonë në vëmendjen e kritikës për mirë ose për keq, Dolan është kthyer në një sensacion në botën e filmit, internetit dhe medias.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Jeta
Ka lindur më 20 Mars të vitit 1989 në Montreal të Kanadasë. Një fëmijë shumë i talentuar në botën e kinemasë e tashmë në moshën 25-vjeçare një regjisor, aktor dhe dizenjues shumë i mirë. Dolan e nisi karrierën e tij në reklama të ndryshme, për të rrëmbyer çmime të rëndësishme në një moshë fare të re.

Një fëmijë shumë ndryshe
Që prej moshës 11-vjeçare, në shkollën e tij në Quebec, Dolan ka qenë një temë polemikash e debatesh. Një histori e treguar prej tij, të cilën e konsideron edhe si zanafillën e talentit të tij, vijon kështu: Mësuesja shënjestron temperamentin e vështirë të Dolan dhe i pyet nxënësit e tjerë se çfarë nuk pëlqejnë te karakteri i vogëlushit Xavier. E papritur për disa fëmijë, por të gjithë kishin një mendim negative për Xavier-in, të gjithë urrenin diçka nga ai. Edhe pse është një situatë tejet e vështirë për një fëmijë, Dolan përfitoi nga kjo dhe e kthehu në një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mësoi se askush nuk do të bënte gjë për ta mbrojtur, ndoshta as në vitet pasuese, ndaj kjo e shtyu të ecte në këmbët e tij, të vendoste hapa të sigurtë që do t’i shërbenin për të gjithë karrierën.

Karriera
“Thjesht më duhej një punë” është shprehur Dolan kur është intervistuar për pasionin mbi kinemanë. Por sigurisht, përpos guaskës së ironisë dhe mospërfilljes, fshihet një pasion i madh për filmin, dialogun, skenat dhe subjektin që filmi trajton. Edhe pse ka debutuar si aktor, Dolan nuk u mjaftua aspak, por eksperimentoi në botën e kinemasë me filma të mirëpritur nga publiku dhe veçanërisht nga kritika. Kjo e fundit e llastoi dhe i dha edhe më shumë hov në krijimin e filmave më të mirë të 5 vjeçarit të fundit. Një pjesë shumë të rëndësishme në filmat e Dolan zë edhe familja e tij. I ati, Manuel, luan rolin e bartenderit në “Tom at the farm” dhe po ashtu ka një rol edhe në “I Killed My Mother”. E ëma, Genevieve, luan rolin e muzës.

Karriera e tij mban mbi supe edhe filma të tillë si “Heartbeats”, “Tom at the Farm”, “It’s Only the End of the World”, “Mommy”, “The Death and Life of John F. Donovan” dhe “Matthias and Maxime”.

“I Killed My Mother”, sakrificë dhe sukses
Kur ishte vetëm 18 vjeç Xavier nisi të punonte në filmin “I Killed My Mother”, i bazuar në novelën e tij të pabotuar “Matricide”. Filmi i tij i parë rezultoi një super sukses, edhe pse kur e ka krijuar, praktikisht Dolan nuk ka pasur asgjë: as eksperiencën e një regjisori, formimin e duhur, karrierën, apo mbështetje financiare. Si një i ri i cili e dashuron punën e tij, trokiti në çdo derë produksioni, por nuk u mbështet nga askush. Nëse mendoni se u dorëzua, e keni shumë gabim! Një artist i mirëfilltë njeh disfatën, por asnjëherë tërheqjen, ndaj në vitin 2009 “I Killed My Mother” rrëmbeu 3 çmime në Lanë dhe 6 të tjerë në festivalet e filmave në mbarë botën.

Subjekti i filmit rrëfen mbi marrëdhënien e një adoleshenti homoseksual me të ëmën, në një luftë familjare, ku e ëma priret të ndryshojë prirjen dhe karakterin e fëmijës. Kjo sigurisht shkaktoi reagime të ndryshme nga publiku dhe adhuruesit e kinemasë, të cilët deduktuan se filmi ishte një autobigrafi.

“Unë e projektoj jetën time në film, pasi mendoj se filmi na jep mundësinë të shprehim kush jemi dhe çfarë duam. Në jetën reale ne nuk luftojmë për atë që duam, nuk luftojmë dhe nuk fitojmë beteja, përgjithësisht i humbasim ato, por nëpër filma ne hakmerremi ndaj jetës” do të shprehej Dolan dhe kjo do t’i shtonte dhe njëkohësisht qetësonte polemikat në lidhje me jetën e tij private.

Një artist, shumë muza
Gjenialiteti i Xavier është frymëzuar nga ndjesitë që i ka dhuruar “Titanic”, një prej filmave që ndryshoi kinemanë, “Home Alone”, “Batman Returns”, nuk mungon as ndikimi i Leonardo Di Caprio dhe fotografi Nan Goldin, për të vijuar me impaktin e madh të mjeshtrave të lenteve: Wolfang Tillmans dhe Ari Marcopoulos.

error: Content is protected !!